Telegrafi

Starship gati për lansim, raketa që synon të bëjë njerëzimin një specie shumë-planetare

Sot pritet që raketa më e madhe e ndërtuar ndonjëherë, Starship, të kryejë testimin fluturues pasi një përpjekje e tillë dështoi të hënën më 17 prill.

Starship, një sistem i ri rakete i kompanisë SpaceX, në pronësi të Elon Musk, që mund të lëshohet në hapësirë për herë të parë të enjten, ka qenë një projekt shumë i veçantë për vite të tëra për miliarderin.

Në vizionin e Musk, Starship është mjeti që një ditë do t’i çojë njerëzit në planetin Mars dhe do t’i lejojë njerëzit të bëhen një specie shumë-planetare, raporton The New York Times, transmeton Telegrafi.

Në një afat më të shkurtë, një lansim i suksesshëm do të zgjeronte dominimin e SpaceX në biznesin e fluturimeve globale në hapësirë.

Starship është më e fuqishmja se çdo gjë tjetër që do të arrijë në hapësirë.

Nëse testi i së enjtes është i suksesshëm, Starship do të arrijë në orbitë, vite pasi Musk parashikoi se do të ndodhte.

Në shtator të vitit 2019, ai u tha njerëzve në një event të SpaceX se raketa do të arrinte në orbitë “në më pak se gjashtë muaj”. Vitin e kaluar, për shembull, ai tha se Starship do të arrinte në orbitë në vitin 2022 dhe e quajti atë një nga “2 qëllimet e tij kryesore”.

Çfarë dimë për raketën Starship?

Anija kozmike Starship e SpaceX dhe raketa Super Heavy – të referuara kolektivisht si Starship – përfaqësojnë një sistem transporti plotësisht të ripërdorshëm, i krijuar për të transportuar ekuipazh dhe ngarkesa në orbitën e Tokës, Hënës, Marsit dhe më gjerë. Starship do të jetë mjeti lëshues më i fuqishëm në botë i zhvilluar ndonjëherë, i aftë për të transportuar deri në 150 tonë metrikë plotësisht të ripërdorshëm dhe 250 tonë metrikë të shpenzuar, sipas informacioneve të dhëna në uebin e SpaceX.

Raketa ka është e gjatë 120 metra dhe diametri i saj është 9 metra.

Starship

Starship është anija kozmike plotësisht e ripërdorshme dhe faza e dytë e sistemit Starship. Anija kozmike ofron një seksion të integruar të ngarkesës dhe është i aftë të transportojë ekuipazhin dhe ngarkesën në orbitën e Tokës, Hënës, Marsit dhe më gjerë.

Gjatësia e Starship është 50 metra derisa diametri 9.

Sistemi Super Heavy

“Super Heavy” është faza e parë, ose përforcuesi, i sistemit të lansimit të Starship. Mundësuar nga 33 motorë Raptor që përdorin metan të lëngshëm të nën-ftohur (CH4) dhe oksigjen të lëngshëm (LOX), Super Heavy është plotësisht i ripërdorshëm dhe do të rihyjë në atmosferën e Tokës për t’u kthyer përsëri në pikën e lansimit.

Sistemi ka një gjatësi prej 69 metrave, dhe diametrin 9 metra. /Telegrafi/

Përgatiti: Arigona Bytyçi