Telegrafi

Starship e SpaceX përfundoi testin e saj më të suksesshëm deri më tani, por “u zhduk” gjatë rihyrjes në atmosferën e Tokës

Kompania e udhëtimeve hapësinore SpaceX ka përfunduar testin e saj më të suksesshëm deri më tani të Starship, raketës më të fuqishme në botë.

Por ndërsa raketa pa pilot përfundoi fluturimin e saj, ajo u “zhduk” me rihyrjen në atmosferën e Tokës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Fluturimi provë i së enjtes ishte i treti i kryer me raketa Starship, përpara misioneve të planifikuara me agjencinë hapësinore të Shteteve të Bashkuara NASA për të dërguar astronautë në Hënë.

SpaceX, një kompani e themeluar dhe në pronësi të sipërmarrësit të teknologjisë Elon Musk, transmetoi drejtpërdrejt eksperimentin e fundit të Starship, duke vënë në dukje se ajo fluturoi më larg dhe më shpejt se sa në dy testet e mëparshme.

Megjithatë, ndërsa raketa u kthye në Tokë, ajo humbi komunikimin me inxhinierët e SpaceX.

Transmetimi i drejtpërdrejtë u ndërpre papritmas dhe SpaceX më vonë raportoi se raketa nuk i mbijetoi fazës së fundit të fluturimit të saj.

Ajo pritej të “shpërthente” në Oqeanin Indian.

Në platformën e mediave sociale X në pronësi të Musk, shefi i NASA-s, Bill Nelson e quajti ngjarjen “një fluturim provë të suksesshëm”.

“Së bashku, ne po bëjmë hapa të mëdhenj për ta kthyer njerëzimin në Hënë – pastaj shikojmë përpara në Mars”, shkroi ai.

Musk gjithashtu festoi fluturimin provë në X, duke shkruar: “Starship do ta çojë njerëzimin në Mars”.

Starship, ndërkohë që është ende në fazat e testimit, konsiderohet një përparim në teknologjinë e raketave, si raketa më e madhe dhe më e fuqishme e këtij lloji. /Telegrafi/