Feronikeli nuk ka arritur më shumë se një barazim 2-2 përballë Llapit në javën e 25-të të Superligës së Kosovës.
Në këtë takim për vendasit debutoi edhe trajneri nga Shqipëria, Sulejman Starova.
Pas ndeshjes Starova ka thënë se është i kënaqur nga mënyra se si luajti ekipi i tij.
“Jam i kënaqur për nga mënyra se si luajti skuadra, pavarësisht se humbëm dy pikë në shtëpinë tonë”.
“Nga ajo se çfarë pashë sot ekipi tregoi më shumë anët pozitive se ato negative që kemi. Ndoshta goditjet standarte nga të cilat edhe pësuam duhet t’i evitojmë sa më parë, pasi që kjo është një e metë e jona si skuadrës”, deklaroi Starova pas ndeshjes.
Në fund trajneri nga Tirana deklaroi se skuadrës së tij iu mungonte përgatitja e mirë fizike.
“Pavarësisht se ishim në disavantazh skuadra reagoi mirë dhe arritëm të gjenim rrugën drejt rrjetës menjëherë në pjesën e dytë, por sikur që stagnuam pasi barazuam rezultatin”.
“Ndoshta kjo është një mungesë e përgatitjes fizike, pasi lojtarët nuk e kishin freskinë që iu nevojitej në momentet e fundit për të kryer solo aksione. Marrë në përgjithësi jam i kënaqur për mënyrën se si luajti skuadra sot”, përfundoi Starova.
Feronikeli zë pozitën e katërt në tabelë me 39 pikë të tubuara. /Telegrafi/