Kryeministri britanik Keir Starmer është pritur nga presidenti francez Emmanuel Macron në një ceremoni në Paris për shënimin e 106-vjetorit të Armëpushimit.
Takimi i tyre nënkupton një festë të miqësisë së dy vendeve, pasi kombet në mbarë botën u bëjnë homazhe ushtarëve të tyre të rënë në Luftën e Parë Botërore.
Bëhet e ditur se ceremonia e Parisit i bën jehonë përkujtimeve franko-britanike që ndodhën 80 vjet më parë, kur trupat aleate çliruan pjesën më të madhe të territorit të Francës nga pushtimi nazist.
Ky vit shënon edhe 120 vjetorin e Antante Cordiale, marrëveshjes historike midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Starmer u ftua personalisht në Paris nga Emmanuel Macron dhe të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë një sërë çështjesh të politikës së jashtme, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Ndërsa takimi shënon një hap të rëndësishëm në planet e Starmer për të rivendosur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar në 2020.
Siç raportohet, dy liderët u takuan fillimisht në pallatin presidencial të Elysee, përpara se të niseshin drejt rrugës Champs-Elysees për të vendosur kurora me lule në statujat e afërta të Georges Clemenceau, kryeministrit francez në kohën e armëpushimit dhe Churchill.
Më pas ata do të udhëheqin ceremoninë tradicionale në monumentin Arc de Triomphe ku do të ndezin sërish flakën e Varrit të Ushtarit të Panjohur.
Kori i Ushtrisë Franceze do të këndojë himnin kombëtar të Francës, “La Marseillaise” dhe himnin britanik “God Save the King”.
Starmer do të presë gjithashtu veteranët, organizatat bamirëse të mbrojtjes dhe personelin ushtarak britanik në rezidencën e ambasadorit dhe pritet të takohet me kryeministrin e ri francez Michel Barnier.
“Jam i nderuar që jam në Paris për të qëndruar me presidentin Macron në nderim të të rënëve të Luftës së Parë Botërore, të cilët bënë sakrificën përfundimtare për lirinë që gëzojmë sot”, tha Starmer.
Ndryshe, kryeministri britanik njoftoi gjithashtu se qeveria e tij ka caktuar më shumë se 12 milionë euro për 80-vjetorin e vitit të ardhshëm të fitores së Aleatëve në Evropë dhe humbjen pasuese të Japonisë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/