Telegrafi

“Standing Man”, jeta mes sfidave dhe kthesave të mëdha e Gamblemanias vjen në dokumentar (Video)

Jeta na servon shpesh ngjarje të cilat manifestohen me vështirësi, por si një tunel që është, në fund gjithmonë drita e shpresës rezulton për një qëllim të mirë, me një përfundim të mirë.

Të gjithë e njohin Adrian Berishën. Së paku, në Prishtinë, ai njihet si ikona e muzikës së jetës së natës dhe fytyrë e jetës kulturore.

Aktivizmi i tij qytetar asnjëherë nuk është kontestuar, pavarësisht sfidave që kanë përcjellë jetën e tij. Ky është Adriani, DJ Gamble, apo siç së fundmi ka ribrenduar imazhin e tij, Gamblemania, ka lansuar së fundmi dokumentarin rreth jetës së tij.

Ai përshkruan veten si qytetar aktiv të Prishtinës, e përveç muzikës dhe punës ai kontribuon edhe vullnetarisht në shumë aktivitete, kurse së fundmi merr pjesë edhe në zgjedhje si kandidat për asamble në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, që ai thotë se po e bën për të pasur një qasje më aktive për ndryshimet në vendin e tij.

Në dokumentar ai rrëfen se si dikur futbolli ka qenë jeta e tij, por është është dashur ta ndërprejë këtë pasion për shkak të sëmundjes me kancer.

Rrëfimi i tij bëhet më interesant kur flet për sfidën e tejkalimit të sëmundjes. Rikthimin e përshkruan si të vështirë, e më i vështirë fillimi.

Në dokumentar pasqyrohet puna e tij në lokalin New Age si banakier, teksa prej aty filloi të merret me muzikë atë kohë, ku edhe filloi të angazhohej nga një vend në tjetrin. Pjesa tjetër e tregimit është histori.

Suksesin e tij thotë se e bazon në afërsinë me njerëzit dhe orientimin e energjisë kah pozitiviteti, që sipas tij mund të realizohen në dobi të shoqërisë, e si fjalën kyçe të jetës e konsideron fjalën “Këmbëngulje”.

Adriani, apo siç njihet ndryshe DJ Gamble, është një prej DJ-ve më të kërkuar në industrinë muzikore shqiptare. Ai performon në top klubet e Kosovës.

Ndryshe, ai së fundmi ka formuar edhe bendin e tij, ku spikat Durim Xhema me prezantimin e tij atraktiv, tekas nuk mungojnë as instrumentet dhe miksimi interesant i muzikës që ata bëjnë, e që është mirëpritur në gjithë vendin.

Gamble së fundmi ka bashkëpunuar me Nesër Music, ku ka performuar në disa koncerte me bendin e tij “live” me superyllin e hip hopit, Ledri Vula. /Telegrafi/