Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, ka dhënë argumentet e tij për lënien jashtë kombëtares të mesfushorit Alban Meha. Meha nuk është ftuar për miqësoren me Austrinë, që kombëtarja e zhvillon më 26 mars dhe për miqësoren me Luksemburgun, që zhvillohet më 29 mars.
Tekniku italian De Biasi ka ngulur këmbë që Meha nuk e ka merituar të thirret prandaj edhe nuk është në listë. Ai ka përmendur aktivizimin e paktë të 29-vjeçarit në kampanjën e suksesshme eliminatore për “Euro 2016”, shkruan sot Koha Ditore.
“Fakti që nuk e kemi grumbulluar do të thotë se e kemi mundësinë për ta lënë jashtë kësaj liste”, ka thënë De Biasi të hënën në konferencë për shtyp, kur është pyetur për Mehën. “Meha është lojtar që gjatë gjithë ndeshjeve kualifikuese ka luajtur vetëm 13 minuta”, ka shtuar De Biasi.
Meha është aktivizuar vetëm në ndeshjen me Serbinë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2016”.
Por se De Biasi ndodh të përdorë standarde të dyfishta, për lojtarë të ndryshëm e dëshmon pikërisht arsyetimi i tij. Ai nuk ka ftuar Mehën që kishte disa minuta në kualifikime, ndërsa ka ftuar për shembull Herolind Shalën, që nuk ka luajtur asnjë minutë. Ka ftuar edhe Frederik Veselin që debutoi pasi u mbyll cikli eliminator.
Standard të dyfishtë po përdor edhe për Besart Berishën. Sulmuesi që po shkëlqen në Australi ka shprehur gatishmëri të luajë në Evropian, por De Biasi ia ka mbyllur dyert me arsyetimin se ai ka refuzuar të luajë në eliminatore.
De Biasi ka thënë se do të llogarisë për evropian në grupin e lojtarëve që sollën suksesin në kualifikime. Por ka bërë përjashtime. Së fundi në listë ka përfshirë Veselin e për një ndeshje edhe Milot Rashicën që po shkëlqen në Holandë. Ka thënë se nga ky grup do të dalë ekipi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Francë.
Alban Meha, që vlerësohet ndër mesfushorët më kreativë të Shqipërisë, insiston se e ka merituar të ftohet.
“Kuptohet që çdo futbollist ka dëshirë të jetë pjesë e kombit të tij. Shihen faktet në ekipin tim se e kam merituar një ftesë. Nuk e di çka të them më. Unë nuk kam probleme me askënd në kombëtare dhe as që kam pasur”, ka thënë Meha për gazetën.