Historia tepër e veçantë e Stambollit si dhe kultura e popullit turk bën që njerëzit ta duan dhe të rikthehen vazhdimisht në këtë metropol.
Brenda një ditë diku rreth dy milionë turistë dhe persona të tjera vijnë në Stamboll, qoftë për ta vizituar apo për të punuar.
Por, së fundmi në vizitueshmërinë e Stambollit dhe të Turqisë në përgjithësi kanë ndikuar disa sulme terroriste dhe tentimi për grusht shtet më 15 korrik të këtij viti.
Grusht shteti ishte tentuar të realizohej nga një pjesë e ushtrisë. Por presidenti turk, Recep Tayip Erdogan ka akuzuar organizatën FETO e cila drejtohet nga kleriku Mysliman Fetullah Gulen që jeton në Pensilvania të SHBA-ve, si organizatore e grusht shtetit.
Në këtë drejtim janë bërë edhe pastrime të mëdha në ushtri, si dhe në administratën shtetërore, si rezultat i reformave të ndërmarra.
Siç kanë shkruar mediat e huaja, koha në të cilën është tentuar të bëhet grusht shteti ka ndikuar shumë në ekonominë e Turqisë sidomos në sezonin turistik.
Sipas disa statistikave, grusht shteti i ka kushtuar ekonomisë turke rreth 90 miliardë euro.
Por tash gjërat kanë ndryshuar, dhe Stambolli duket frymon lirshëm dhe pa pengesa.
Qeveria turke dhe Presidenti Erdogan e kanë stabilizuar gjendjen si dhe kanë rritur masat e sigurisë, sidomos në vendet ku ka më shumë lëvizshmëri të madhe të njerëzve dhe turistë të huaj.
Ujësjellësi që është shndërruar në muze
Në javën e parë të tetorit, në Stamboll është organizuar një “Press Trip” i sponsorizuar nga kompania e famshme “Turkish Arlines” ku kanë qenë të pranishëm disa gazetarë nga Ballkani e më gjerë.
Gjatë këtij organizimi, gazetarët janë njohur më zhvillimet më të fundit në Turqi – po ashtu edhe me gjendjen e sigurisë e cila është në vend.
Si pjesë e programit, gazetarët kanë vizituar edhe Xhaminë e Sulltan Ahmetit, Xhaminë Ayasofya.
Vizitë gazetarët pjesëmarrës kanë bërë edhe në Pallatin e Sulltanit “Topkapi Sarayi”.
Një vizitë interesante, përveç vizitave nëpër objekte të rëndësishme fetare, ka qenë edhe vizita në ish ujësjellësin e Stambollit “Yerebatan Sarnici”, që tani është kthyer në një muze atraktivë për vizitorët e huaj.
Po ashtu gazetarët kanë vizituar edhe njërin ndër tregjet më të mëdha në Turqi “Kapali Carsi”, i cili ka qenë mjaftë interesant.
Se Stambolli ka histori të veçantë tregon edhe Lala Musagizi, gazetare në Gazetën “Kaspi” në Azerbajxhan, e cila ka qenë edhe në vizita të mëhershme në Stamboll.
“E kam vizituar Stambollin edhe tre herë të tjera. Stambolli më ka impresionuar më së shumti me historinë të cilën e ka. Çdo herë kur vijë për ta vizituar Stambollin zbuloj gjëra të reja”, ka thënë Musagizi gjatë një bisede për Telegrafin.
“Historia e Stambollit më bënë të rikthehem prapë këtu”, ka shtuar më tej ajo.
Sipas saj, historia dhe zhvillimi i shtetit të Turqisë do të duhet të ishte sinjal për e vendet e Bashkimit Evropian që ta pranojnë atë në familjen e saj.
Miliona njerëz kanë fluturuar me “Turkish Airlines”
Ndërkaq një pritje e veçantë dhe mjaftë me interes ka qenë vizita në selinë qendrore të Turkish Airlines, ku gazetarët janë njohur më për së afërmi me historikun e kompanisë dhe zhvillimet në të.
Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Turkish Airlines, Ilker Ayci gjatë një konference për gazetarët pjesëmarrës në “Press Trip” ka folur rreth shumë çështjeve në Turqi.
“Këtë vit me aeroplanët tanë kanë udhëtuar deri 64 milionë njerëz. Prej vitit të kaluar kemi një rritje për 35 për qind. Në vitin 2018 do të kemi aeroportin më të madh në botë në Stamboll”, ka treguar Ayci.
Ai ka folur edhe për grusht shtetin e 15 korrikut, ku ka thënë se pushteti merret me votë e jo me dhunë.
Gazetarët kanë vizituar edhe qendrën e trajnimeve të Turkish Airlines si dhe hapësirat ku përgatitet ushqimi për të gjithë udhëtarët e kësaj kompanie.
Ndryshe pjesëmarrës në këtë “Press Trip” kanë qenë mbi 65 gazetarë nga Zvicra, Kosova, Sllovenia, Kroacia, Azerbajxhani, Maqedonia, Serbia, Ukraina, Gjeorgjia, Hungaria, Turqia.
Interesantë ka qenë edhe udhëtimi me biznes klas, si dhe vizita dhe shfrytëzimi i “CIP Lounge” të Turkish Airlines në Aeroportin Ataturk të Stambollit, që është edhe një ndër lounget më të mëdha në botë.
Sido që të jetë, edhe pse situata e sigurisë në Turqi është e qetë por e brishtë, Stambolli është qytet që gjithsesi ia vlen të vizitohet. /Telegrafi/