Telegrafi

Stafi i spitalit këndon “You’ll Never Walk Alone” dhe video bëhet virale – Jurgen Klopp thotë se ka qarë dhe i falënderon së bashku lojtarët e tij

Jurgen Klopp ka zbuluar se nuk i ka përmbajtur dot lotët kur ka parë pamjet e stafit të Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (National Health Service) duke kënduar himnin e Liverpoolit i njohur si “You’ll Never Walk Alone” gjatë krizës së coronavirusit.

Videoja e shpërndarë në mediat sociale nga deputetja, Mary Foy, tregon një numër profesionistësh të kujdesit shëndetësor, që u bashkuan në interpretimin e himnit të Liverpoolit.

Klopp nuk ka mundur t’i përmbajë emocionet për ata që luftojnë virusin në vijën e parë.

 

“Anglishtja ime nuk është aq e mirë për ta thënë. Është e jashtëzakonshme, e shkëlqyeshme. Dje, më dërguan një video të njerëzve në spital, jashtë zonës së kujdesit intensiv, dhe kur ata filluan të këndonin “You’ll Never Walk Alone”, fillova të qaja menjëherë”.

“Ishte e pabesueshme, por tregon gjithçka. Këta njerëz jo vetëm që punojnë, por kanë një frymë kaq pozitive. Ata janë mësuar të ndihmojnë njerëzit e tjerë”, ka thënë Klopp për ueb faqen e klubit.

Shumë klube të futbollit kanë shprehur falënderimet e tyre personale për ata që janë në vijën e parë për të luftuar virusin vrasës.

 

Trajneri i Liverpooolit, Jurgen Klopp dhe yjet e tij dërguan një videomesazh të përzemërt për stafin mjekësor, duke i falënderuar për punën që po bëjnë.

Në video shihet edhe Xherdan Shaqiri, i cili mesazhin e tij e dha në gjuhën gjermane. /Telegrafi/