Site icon Telegrafi

Stafi i Schroeder jep dorëheqje pasi ish-kancelari gjerman i reziston presionit për të ndërprerë lidhjet me Kremlinin

Menaxheri i zyrës së ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder ka dhënë dorëheqje për shkak të refuzimit të shefit të tij për të lënë postet fitimprurëse në kompanitë ruse të gazit.

Sipas Politico, përcjell Telegrafi, Albrecht Funk, i cili ka shërbyer si menaxher i zyrës së Schröder për më shumë se 20 vjet, vendosi të linte punën e tij pasi Schröder nuk do të ndiqte këshillën e tij për të lënë rolet në kompanitë e gazit Rosneft dhe Gazprom pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas raportit, gjithsej katër punonjës, përfshirë Funk, lanë punën e tyre në zyrën e Schröder për këtë çështje.

Javën e kaluar, ish-kancelari socialdemokrat kritikoi luftën e Putinit përmes LinkedIn, por pohoi se “të dyja palët bënë gabime”, duke qëndruar në qëndrimin e tij se NATO u zgjerua shumë larg në lindje pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke provokuar kështu Kremlinin.

Kërkesat që atëherë janë bërë gjithnjë e më të forta që Schröder-it t’i hiqen të gjitha përfitimet që gëzon një ish-kancelar në Gjermani, duke përfshirë pagesat e mira të pensioneve.

Ndryshe, një “forcim” i politikës së Gjermanisë ndaj Rusisë ka pasuar agresionin e saj në Ukrainë, me pasoja në të gjithë shoqërinë.

Të martën, Orkestra Filarmonike e Mynihut shkarkoi dirigjentin e saj Valery Gergiev pasi ai refuzoi të distancohej nga Putini, ndërsa klubi i futbollit Schalke 04 i dha fund partneritetit me Gazprom. /Telegrafi/

Exit mobile version