Site icon Telegrafi

Stadiumi në Peran të Podujevës në gjendje të keqe, flet Qendrim Softolli nga LDK

Stadiumi në Peran të Podujevës, ka qenë një nga premtimet e kryetarit të po këtij qyteti Shpejtim Bulliqi.

Para disa ditësh nga ai u publikua një pamje ku tregohej stadiumi, megjithatë ditë më pasë, ai postim është fshirë, transmeton Telegrafi.

Gjendja e stadiumit nga afër nuk duket e mirë, përreth hapësirës së gjelbër shihen mbeturinat dhe rrëmujat gjithandej.

 

Qendrim Softolli, asamblist nga radhët e LDK-së në Podujevë, për Telegrafin thotë se në këtë projekt që nuk është përfunduar, janë investuar mijëra euro.

“Stadiumi në Peran është një tjetër projekt i papërfunduar nga qeverisja Bulliqi. Tash e 4 vite, me një investim prej qindra mijëra eurosh, rezultati është si mos më keq. Pa fije turpi, kryetari reklamonte dhe krenohej me këtë projekt, i cili nuk u përfundua kurrë. Një çështje tjetër tepër e rëndësishme, që është edhe shkelje ligjore, është nënshkrimi i kontratës së re pa u mbyllur kontrata paraprake. Kjo tregon papërgjegjësinë e këtij pushteti karshi parasë publike”, tha ai.

Sa i përket këtij stadiumi Softolli thotë se nuk i plotëson as kushtet elementare.

“Një teren sportiv që nuk i plotëson as kushtet elementare. Nuk ka as parking, ulëse e zhveshtore”, tha ai.

Ndryshe, Telegrafi i ka shkruar edhe komunës në Podujevë për të marr një përgjigje, por deri në publikimin e lajmit nuk ka ndonjë informatë zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version