Site icon Telegrafi

SR-72: Aeroplani amerikan që do të lëviz me 7,500 kilometra në orë – dhe të arrijë në çdo cep të botës për më pak se një orë (Video)

Në vitin 2013 kompania amerikane Lockheed Martin e cila merret me prodhimin e armëve, ka njoftuar se është duke punuar në zhvillimin e projektit për pasardhësin e aeroplanit të njohur spiun, SR-71 Blackbird, shkruan Business Insider.

Aeroplani SR-71 ishte në gjendje të lëviz me shpejtësi tri herë më të madhe sesa ajo e zërit, ndërsa pasardhësi i tij SR-72 synon të ketë karakteristika edhe më të avancuara siç i dokumenton një video e publikuar më poshtë, transmeton Telegrafi.

SR-72 është pasardhësi i SR-71 Blackbird, aeroplani spiun që konsiderohet si më i shpejti që ndonjëherë është prodhuar.

I prodhuar nga kompania Lockheed Martin në vitin 1960, SR-71 mund të arrinte shpejtësinë prej mbi 3,600 kilometra në orë, që i bie tri herë më shpejt sesa shpejtësia e zërit.

Por, ky aeroplan legjendar ishte nxjerrë nga përdorimi në vitin 1998. Ndërkaq në vitin 2013 ishin shpalosur planet për të vazhduar me prodhimin e pasardhësit të tij – SR-72.

Synohet që ky projekt të quhet “Skunk Work” dhe do të realizohet nga e njëjta kompani  – Lockheed Martin. SR-72 synon ta ndryshojë rrjedhën e “luftës në qiell” dhe atë falë shpejtësisë supersonike.

Lexo po ashtu Njëzet ushtritë më të fuqishme në botë (Foto)

Në këtë kompani pretendojnë se ky aeroplan do të arrijë shpejtësinë maksimale prej 7,500 kilometra në orë, dhe do të jetë shumë më preciz në goditjen e caqeve.

Ekspertë të kësaj fushe besojnë se nëse një aeroplan i tillë arrin të prodhohet dhe të kalojë të gjitha fazat testuese, atëherë do të mund të arrijë në çdo cep të botës për më pak se një orë.

Dyshimet se kanë filluar zhvillimin e këtij projekti kanë “lindur” së fundmi, kur një fluturake e paidentifikuar është parë duke lëvizur në hangarët e ekipit që punon në projektin “Skunk Work”.

Megjithatë, ky aeroplan nëse shkon gjithçka sipas planit pritet të jetë i gatshëm për përdorim në vitin 2020, dhe padyshim se do të jetë fluturakja më e shpejtë që ndonjëherë është prodhuar. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version