Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj thotë se qytetarët janë të lirë të dalin pas orës 20:00, dhe se mjafton të mos ketë grumbullim njerëzish.
Ministri ka shpjeguar masat e reja kundër covid-19 që kanë hyrë në fuqi sonte.
“Po absolutisht po, liria e lëvizjes nuk është i kufizuar, është vetëm kufizimi i aktiviteteve biznesore. Disa janë të lejuara, ato esenciale dhe disa tjera. Nuk është ajo mbyllja klasike nëse ka pasur keqkuptime.
“Esenca e kësaj është tejkalimi i grumbullimeve të panevojshme që i kemi pa. Rritja e numrit të infeksioneve na ka detyruar që t’i marrim këto masa. Fatkeqësisht në shumë sektorë s’ka pasur disiplinë. Kufizim i lëvizjes së automjeteve dhe të atyre të atyre që nuk janë nga Prishtina vetëm ata që kanë nevoja të punëve të cilat janë te lejuara me masat në fuqi. As nuk mund të hynë e as të dalin deri të hënën në 5 të mëngjesit”, shpjegoi ai në kanal10.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna për: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.
Në komunat e lartë cekura ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020. /Telegrafi/