Site icon Telegrafi

UP sqarohet për rastet e dyshimta të plagjiaturës

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas raportimeve të organizatave Admovere dhe KFOS për tri raste të plagjiaturës në UP, ka bërë të ditur se asnjë lëndë e kësaj natyre nuk është adresuar për trajtim në Këshillin e Etikës që shqyrton raste të tilla.

Reagim i UP-s vjen pas raportit të organizatave Admovere dhe KFOS, ku përfshihet informacion nga shtypi i përditshëm për raste të dyshuara të plagjiaturës nga stafi akademik.

“Pas verifikimeve, menaxhmenti konstatoi se asnjë lëndë e kësaj natyre nuk është adresuar për trajtim në Këshillin e Etikës. I rikujtojmë opinionit publik se është pikërisht Këshilli i Etikës organi i cili i merr në shqyrtim rastet e tilla dhe ai që rekomandon veprime të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Menaxhmenti i UP-së është i hapur ndaj çdo kërkese për transparencë dhe bashkëpunim nga akterët e jashtëm, të cilat i kontribuojnë përmbushjes së vizionit të UP-së për një universitet hulumtues publik të respektuar, të njohur globalisht për profesionalizëm, integritet, mësimdhënie cilësore dhe hulumtim.

Nëse paraqiten dhe shqyrtohen rastet e tilla, menaxhmenti i UP-së nuk do të kursejë mbështetjen për këto organe, si në kuptimin moral, logjistik, organizativ, në përmirësim të rregulloreve përkatëse, për të përmbushur sa më mirë misionin e UP-së. /Telegrafi/

Exit mobile version