Telegrafi

Spiunohet BMW 3 Series i ri, duket si 5 Series i tkurrur (Foto)

BMW e prezanton modelin 3 Series gjatë muajit tetor, por pamjet e spiunuara tregojnë se çfarë mund të shohim

Pas lansimit të 5 Series dhe 7 Series, ishte vetëm çështje kohe kur të nisin ndryshimet për 3 Series, transmeton Telegrafi.

Spiunët që merren me veturat e reja, e kanë kapur makinën teksa testohej në rrugët e ngrira, me një shtresë të hollë kamuflazhi, duke dhënë pamje më të përafërt të sedanit sportiv. Pranë dy 3 Series të reja që testoheshin ndodhej edhe një i tanishëm, që voziste krahas tyre.

Në bazë të pamjeve që shfaqen, njohësit thonë se 3 Series ka trashëguar shumë elemente prej 5 Series, që është një makinë me përmasa shumë të mëdha.

Madje, dritat LED janë krejtësisht të njëjta. “Duket sikur një 5 Series i tkurrur” ka qenë përshkrimi më i përafërt për veturën, që pritet të ketë shumë përparësi teknologjike.

Sipas të gjitha gjasave, këtë makinë pritet ta shohim në edicionin që vjen të Paris Auto Show, ndërsa do të lansohet gjatë vitit që vjen. /Telegrafi/