Site icon Telegrafi

Spiun me katër rrota: Vetura juaj mund ta di edhe kur keni bërë seks?

Keni një veturë të re? Ka mundësi që ai të dijë gjëra për ju që nuk i prisni.

Veturat moderne përdorin një sërë mjetesh për mbledhjen e të dhënave, duke përfshirë mikrofonat, kamerat dhe telefonat që drejtuesit i lidhin me makinat e tyre. Prodhuesit gjithashtu mbledhin të dhëna përmes aplikacioneve dhe faqeve të tyre të internetit. Ata mund të shesin ose ndajnë atë informacion me palët e treta.

Nëse vetura juaj është ndërtuar në vitet e fundit, ju me siguri po vozitni në një veturë që mund të mbledhë informacione të ndjeshme personale si raca, pesha dhe aktiviteti juaj seksual.

Këtë e treguan rezultatet e projektit të Fondacionit Mozilla – *Privacy Not Included. Në atë organizatë jofitimprurëse, ata zbuluan se pothuajse të gjithë prodhuesit kryesorë të veturave nuk i përmbahen as standardeve bazë të privatësisë dhe sigurisë në modelet e reja të lidhura me internetin.

Askush nuk e kaloi testin
Të 25 markat e veturave të testuara nga Mozilla dështuan në test. Automjetet nga BMW, Ford, Toyota, Tesla dhe Subaru mbledhin të dhëna si raca, shprehjet e fytyrës, pesha, shëndeti dhe vendndodhja.

Disa nga veturat e testuara mblodhën informacione që nuk do të prisnit t’i dinte vetura juaj, duke përfshirë detaje rreth aktivitetit seksual, racës dhe statusit të emigracionit.

“Të gjitha veturat e reja sot janë makthe të privatësisë mbi rrota që mbledhin sasi masive të të dhënave personale,” tha Jen Kaltrider, menaxhere e programit për projektin *Privacy Not Included. “Shkelësi” më i madh ishte Nissan.

Politika e tyre e privatësisë sugjeron që prodhuesi mbledh informacione duke përfshirë aktivitetin seksual, të dhënat e diagnozës shëndetësore dhe të dhënat gjenetike, megjithëse nuk ka detaje se si janë mbledhur këto të dhëna.

Edhe markat e tjera nuk ia dolën shumë më mirë. Volkswagen, për shembull, mbledh të dhëna për sjelljen e drejtimit të automjetit, si rripat e sigurimit dhe zakonet e frenimit dhe i kombinon ato me detaje të tilla si mosha dhe gjinia për reklamim të synuar.

Politika e privatësisë e Kia rezervon të drejtën për të monitoruar jetën tuaj seksuale dhe Mercedes-Benz dërgon makina me TikTok të para-instaluar në sistemin multimedial të makinës. Vetë ky aplikacion ka probleme me privatësinë.

Mozilla nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse prodhuesit e makinave kodojnë të dhënat e mbledhura të përdoruesve. Ata zbuluan gjithashtu se shumë prej tyre angazhohen në “pastrimin e privatësisë”, domethënë, duke ofruar informacion për konsumatorët që sugjerojnë se ata nuk kanë nevojë të shqetësohen për çështjet e privatësisë, kur në realitet nuk është kështu. /Telegrafi/

Exit mobile version