Site icon Telegrafi

Spitali i Dibrës mbetet pa furnizime, Bebe Rexha dhuron 10 mijë dollarë dhe bën thirrje publike për ndihmë para miliona fansave të saj

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi është gjendur në Venedik të Italisë për Javën e Modës atje.

Ajo mori pjesë në eventin special të “Dolce dhe Gabanna” në promovim të koleksionit të tyre më të re.

Këngëtarja e cila këto ditë mbushi 32 vjet, nuk i ka harruar kurrë rrënjët e saj dhe është krenuar gjithmonë me vendin e origjinës.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

E kur vendi i saj i origjinës ndodhet në vështirësi, duket se Bebe Rexha nuk heziton që të ndihmojë me aq sa ka mundësi.

Së fundmi, ajo ka bërë një thirrje publike para 10.7 milionë ndjekësve të saj në Instagram, duke kërkuar nga të gjithë, veçanërisht nga fansat e saj shqiptarë, që të ndihmohet Spitali i Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut – qytet ky nga familja e saj ka prejardhjen.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

“Për të gjithë shqiptarët e mi dhe dibranët ju lutem ndihmoni. Nuk ka mjaftueshëm furnizime. Ju lutem ndihmoni duke dhuruar. Çdo gjë ndihmon”, ka shkruar artistja Rexha në thirrjen e saj publike në InstaStory.

Në të njëjtën kohë, 32-vjeçarja ka ndërlidhur edhe linkun i cili të qon direkt e te fondacioni i hapur në faqen GoFundMe, ku mund të dhurohen online të ardhura për të ndihmuar spitalin.

Nga pasqyra e bërë mbi këtë fondacion online, mund të shihet se vet Bebe Rexha ka dhuruar plot 10 mijë dollarë (rreth 8,400 euro) për të ndihmuar furnizimin e spitalit.

Foto: GoFundMe

Kjo është thirrja që bëhet në përshkrimin e situatës në GoFundMe:

Ju lutemi bashkohuni me SHAD në mbledhjen e fondeve për të ndihmuar spitalin në Dibër që ka nevojë urgjente për furnizime mjekësore bazë për të ndihmuar pacientët që luftojnë me COVID-19. Siç e dini të gjithë, virusi COVID-19 në Dibër është përhapur përsëri dhe është përkeqësuar shumë shpejt, duke rezultuar në një rritje të numrit të rasteve fatale. Për shkak të rritjes së shpejtë të pacientëve me COVID-19, spitali ka tejkaluar kapacitetin e tij për të siguruar oksigjenin e nevojshëm duke i vënë pacientët në rrezik të madh! SHAD reagoi urgjent sot, 31 gusht 2021, dhe bëri një blerje direkte të rezervuarëve të oksigjenit me vlerë 5,000 dollarë, nga një kompani në Kryeqytetin e Maqedonisë Veriore – Shkup (TGS “Tehnicki Gasovi DOO -Shkup”). Sidoqoftë, këto furnizime nuk do të zgjasin shumë pasi numri i pacientëve po rritet me shpejtësi dhe spitali siç u përmend më lart, tashmë e ka tejkaluar kapacitetin e tij! Përveç rezervuarëve të oksigjenit, spitali ka nevojë edhe për pajisje të tjera mjekësore. Çdo donator që dëshiron të dhurojë ose blejë pajisje, së shpejti do të sigurojmë një listë të detajuar të pajisjeve në nevojë. /Telegrafi/

Exit mobile version