Telegrafi

“Spider-Man: Into the Spider-Verse” vë rekorde të shikueshmërisë

Filmi i animuar i studios Sony, “Spider-Man: Into the Spider-Verse”, fundjavën që lamë pas është pozicionuar në krye të top-listës, si filmi me suksesin më të madh debutues në muajin dhjetor.

Projekti me regji të Phil Lord dhe Christopher Miller ka grumbulluar 35.4 milionë dollarë (31.2 milionë euro) dhe në këtë mënyrë ka vënë rekord si filmi i animuar më i shikuar që është lansuar ndonjëherë në muajin dhjetor.

Ky është një fillim i shkëlqyer për filmin që gjatë fundjavës ka nisur shfaqjen edhe në kinemanë Cineplexx.

“Spider-Man: Into the Spider-Verse” ka marrë reaksione pozitive nga publiku dhe kritikët, ndërsa përfitimeve iu shtohen edhe 21 milionë dollarë (18.5 milionë euro) të tjera të përfituara nga tregjet jashtë Amerikës.

Sukses të veçantë (jashtë Amerikës), ky film ka shënuar në Korenë e Jugut, Britnai të Madhe, Rusi dhe Australi.

“Spider-Man: Into the Spider-Verse” është film i animuar në mënyrë kompjuterike për superheroin e bazuar në Marvel Comics, Spider-Man.

Është realizim i Columbia Pictures dhe Sony Pictures Animation në bashkëpunim me Marvel, ndërsa shpërndarjen e bën Sony.

Shameik Moore , Jake Johnson, Hailee Steinfeld, Mahershala Ali, Brian Tyree Henry, Lily Tomlin, Luna Lauren Velez, John Mulaney, Nicolas Cage e Liev Schreiber kanë huazuar zërin për këtë film. /Telegrafi/