Cristiano Ronaldo ka vendosur të largohet nga Real Madridi, bëjnë të ditur mediat spanjolle.
Sipas njoftimit të El Chiringuito de Jugones, 32-vjeçari tashmë e ka informuar kreun e klubit, Florentino Perez, rreth vendimit për t’u larguar në verën e ardhshme.
Kryetari i Realit nuk dëshiron ta lejojë largimin e superyllit portugez, edhe pse ai e ka refuzuar ta rinovojë kontratën.
Ronaldo nuk është i kënaqur për faktin se Los Blancos kishin bërë përpjekje të mëdha për transferimin e Kylian Mbappes nga Monaco, para se ai të shkonte te Paris Saint-Germaini.
Kur është pyetur këtë muaj nga beIN Sports nëse do të nënshkruajë kontratë të re me Mbretërit, CR7 kishte thënë: “Nuk dua të rinovoj. Jam shumë i kënaqur me kontratën që e kam”.
Ky sezon nuk ka nisur mirë për portugezin. Ai e ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet e fundit me Realin.
Po ashtu, është përmendur edhe një pakënaqësi e tij me Iscon në lidhje me festën e golit, në të cilin asistoi Ronaldo.
Nga ana tjetër, futbollisti është bërë baba i fëmijës së katërt, të parit me të dashurën Georgina Rodriquez. Ajo e solli në jetë vajzën Alana Martina. /Telegrafi/