Raportimet mizore se gruaja e Kobe Bryant, Vanessa, e ka vrarë veten pas aksidentit tragjik të familjarëve të saj, janë lajme të rrejshme.
Në internet, gjegjësisht në YouTube dhe një blog – e më pas në rrjetet sociale – u shpërnda lajmi kinse 37-vjeçarja e ka vrarë veten pas vdekjes së legjendës së basketbollit dhe vajzës së tyre 13 vjeçare, Gianna.
Faqja e kontrollimit të fakteve, Snopes, i ka përgënjeshtruar këto thashetheme të pamëshirshme që nxitën postimet “RIP” për Vanessan.
Madje, lajmi i rrejshëm ishte montuar si prodhim nga BBC, Fox News dhe Today Show. Sidoqoftë, e gjitha është gënjeshtër.
Për më shumë, Vanessa të martën bëri një postim në Twitter ku u jepte mesazh njerëzve që të qëndrojnë sa më pranë të dashurve të tyre.
Lajmet e rrejshme për vdekjen e personaliteteve të njohura janë të shpeshta në internet, ndërsa emra të shumtë kanë qenë viktimë e tyre. /Telegrafi/