Site icon Telegrafi

Spektakël në Villa Park, Aston Villa dhe Chelsea ndajnë pikët

Aston Villa dhe Chelsea kanë luajtur baras 2-2 në një ndeshje spektakolare në Villa Park.

Vetëm pas katër minutash lojë, vendasit kaluan në epërsi kur mbrojtësi spanjoll i Chelseat, Marc Cucurella realizoi autogol për 1-0.

Vendasit vazhduan shkëlqimin edhe gjatë kohës së mbetur të pjesës së parë, kur në minutën e 42-të Matty Cash asistoi te Morgan Rogers i cili realizoi për 2-0.

Me epërsinë e skuadrës vendase 2-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Chelsea filloi rikthimin në minutën  62-të, kur Noni Madueke realizoi një gol të bukur për 2-1.

Në minutën e 81-të, Madueke asistoi bukur te Gallagher i cili barazoi shifrat në 2-2.

Krejt në fund Chelsea realizoi edhe golin e fitores me Disasin, por që ky gol u anulua për shkak të një faulli në sulm.

Gjithsesi dy skuadrat në fund u desh të pajtohen me nga një pikë të fituar nga kjo përballje.

Aston Villa me këtë pikë mbetet në pozitën e katërt në tabelë me 67 pikë, derisa Chelsea është e nënta me 48 pikë.

Ndeshjen e ardhshme Aston Villa e luan në udhëtim te Brighton, derisa Chelsea para adhuruesve të vet përballet në derbin e Londrës me Tottenham Hotspur. /Telegrafi/

Exit mobile version