Rapid Bukuresht dhe Cluj kanë ndarë pikët në barazimin 2-2 të vlefshëm për javën e dytë të elitës së futbollit rumun.
Albion Rrahmani startoi te Rapidi, ndërsa Florent Hasani ishte në bankën rezervë, por të dy lanë shënjë në këtë takim.
Në anën tjetër te Cluj nga minuta e parë luajti Meriton Korenica, ndërsa ai u zëvendësua në kohën shtesë, pikërisht nga Armend Thaqi.
Daniel Birligea hapi ndeshjen me një gol për Cluj me të cilën u mbyll pjesa e parë.
Në mesin e pjesës së dytë, Rapid Bukureshti fitoi penallti, ndërsa nga pika e bardhë shënoi Albion Rrahmani për 1-1. Sulmuesi shkaku i një dëmtimi lëshoi fushën.
Cluj ktheu epërsin me Peter Michael që shënoi për 2-1 në minutën e 75-të.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej me fitoren e mysafirëve në skenë doli Florent Hasani që shënoi për 2-2 në minutën e shtatë të kohës shtesë.
Sipas vlerësimeve të SofaScore, Florent Hasani kishte notën më të lartë nga shqiptarët me 7.1, ndërsa pas tij vjen Rrahmani me notën 7.0.
Meriton Korenica u vlerësua me notën 6.6 për paraqitjen e tij, ndërsa Thaqi nuk kishte notim pasi u fut vonë në fushë.
Cluj ka 4 pikë nga dy ndeshje, ndërsa Rapid ka 2 pikë. /Telegrafi/