Llapi ka marrë një fitore të madhe në shtëpi, teksa ka mposhtur Feronikelin me rezultat të ngushtë 3:2.
Skuadra e Tahir Batatinës e nisi për mrekulli ndeshjen, ku në minutën e 22-të kaluan në epërsi me golin e Bujar Idrizit.
Vetëm 12 minuta më vonë, Llapi shënoi edhe golin e dytë, kur Arbnor Ramadani asistoi për mrekulli te Sava Gardasevic i cili realizoi një gol të bukur për 2-0.
Kur skuadrat po bëheshin gati të shkonin në pushim, Marko Simonovski i Niklit ngushtoi epërsinë në 2-1.
Llapi vazhdoi lojën e mirë edhe në pjesën e dytë, teksa kur kaluan një orë lojë fitoi penallti.
Valmir Veliu u ndalua në zonë nga Adem Maliqi, teksa i saktë nga pika e bardhë ishte Arbnor Ramadani duke ngritur epërsinë e skuadrës së tij në 3-1.
Feronikeli u rikthye në lojë 16 minuta para fundit të ndeshjes, kur sulmuesi maqedonas Simonovski realizoi një tjetër gol për ta ngushtuar epërsinë në 3-2.
Përkundër insistimit nga mysafirët për ta barazuar rezultatin, një gjëje të tillë nuk ia arritën dhe Llapi mori tri pikë të arta nga kjo ndeshje.
Me fitoren e sotme, Llapi i ik pozitës së rrezikshme dhe tani ndodhet në vendin e gjashtë me 20 pikë.
Ndërkohë Feronikeli është një pozitë më lart me tri pikë më shumë. /Telegrafi/