Telegrafi

Specialja konfirmon aktakuzën edhe ndaj presidentit Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur.  Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë.

Sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëjë thirrje të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, tha presidenti Thaçi.

Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël i radhës që duhet të paguajmë për lirinë e vendit tonë, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Thaçi jep dorëheqje nga pozita e presidentit

“Jam me fat që jam gjallë dhe kam përjetuar ëndërrtën tonë shekullore që të bëhet realitet. Jam krenarë që më bashkësinë ndërkombëtare dhe aletatët tanë kemi luftuar gjenocidin  e Millosheviqit dhe kemi fituar lirinë”, shoti Thaçi.

Gjykata Speciale ka konfirmuar edhe aktakuzën ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Veseli ka deklaruar se dje është informuar për konfirmim të aktakuzës dhe se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet akuzave.

Kujtojmë se, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/