Ai kurrë nuk fitoi një titull të kampionit, por ai do të hyjë në histori si një prej më të mirëve në histori në klubin e fëmijërisë së tij, teksa ndikimin e tij jashtë fushe kurrë askush nuk mund ta shlyejë.
Pas 18 viteve, 748 paraqitjeve dhe 191 golave – me të pamundura të arritura dhe surealen si rutinë përbrenda tij, Steven Gerrard i dha fund karrierës së tij.
Tetë vjeçari i vogël i cili hyri në dyert e Liverpoolit në vitin 1987 ka udhëhequr ekipin e tij të fëmijërisë si kapiten, duke ngritur trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve në histori, kurse ishte edhe kapiten i kombëtares së tij.
I treti me më së shumti paraqitje në historinë e Liverpoolit, dhe i katërti në listën me më së shumti paraqitje për kombëtaren e Anglisë, Gerrard jo vetëm që e jetoi ëndrrën – ai sikurse shumë ndeshje të panumërta, i bëri ato të varen nga vullneti i tij, shpirti i tij.
“Teksa rritesha, babai më tregonte shumë gjëra për ekipet e mëdha të Liverpoolit të madh dhe lojtarët që kanë luajtur”.
“Ai gjithmonë më tregonte video duke më edukuar për historinë e klubit dhe kështu, unë të jem pjesë e tij, diçka që nuk mund ta shprehi me fjalë. Nga mosha tetë vjeçare, unë kam dashur të jem më i miri që mund të isha për Liverpoolin”, tha Gerrard për Goal në shkurt të këtij viti.
“Unë dhashë secilën pikë të djersës time dhe punova shumë e më shumë secilën ditë për të arritur qëllimin tim. Unë kam dashur aq shumë që të luaj mirë për Liveproolin, sa që gjithçka që kam pasur në kokë dhe në trup, e kam vënë në shërbim të këtij ideali. Unë jo vetëm e jetova ëndrrën, unë e bëra atë realitet”, shtoi ai.
Në moshën 36 vjeçare, ai i ka dhënë futbollit më të mirën e talentit të tij në fushë dhe tash do të mundohet që t’i kontribuojë këtij sporti teksa ka filluar të prekë me duar karrierën prej trajneri.
Dhe ashtu sikurse me karrierën e tij prej lojtari, ai do të ofrojë secilin milimetër të tij në rrugën drejt menaxhmentit në futboll.
Pavarësisht se ku filloi ta praktikojë futbollin Gerrard, në mesfushë, në krahun e djathtë të mefushës, në krahun e kundërt, si mbrojtës, si sulmues i dytë – ai shumë herë do t’i përfundonte ndeshjet duke shtyrë Liverpoolin drejt vendeve ku ndoshta nuk meritoi ky klub të jetë dhe nuk do t’a arrinte kurrë pa intervenimin e këtij njeriu.
Olympiakosi në Anfield. Milani në Ataturk. West Hami në Millennium Stadium. Është një listë e gjatë në koleksionin e kundërshtarëve dhe stadiumeve që kanë arritur të jenë dëshmitarë kur Gerrard mori përgjegjësinë dhe shkonte tutje me skuadrën e tij. Në vitin 2001, ai shënoi një gol nga mbi 30 metra duke mposhtuar Fabien Barthezin, atë kohë prej më të mirëve në glob, duke ndihmuar liverpoolin që të sigurojë fitoren e parë në shtëpi ndaj Manchester Unitedit nga dhjetori i vitit 1995. Më pas ishte hettriku në derbin lokal ndaj Evertonit në vitin 2012, i cili ishte hettriku i vetëm në derbi nga viti 1982 dhe atë në paraqitjen e tij të 400-të.
https://www.youtube.com/watch?v=j0O-uBYEOLE
Lista po zgjerohet dhe kështu edhe legjendariteti që ai lë pas. Janë plot 18 vjet nga debutimi i tij me ekipin e parë, duke u inkuadruar në fitoren prej 2-0 ndaj Blackburnit më 29 nëntor të vitit 1998.
https://www.youtube.com/watch?v=a-7Mbq3yf-w
Nga momenti i tij i debutimit, Gerrard kujton fjalët e tifozëve kur trajneri Gerard Houllier i ngriti disa lojtarë për t’u nxehur. Të gjithë u duartrokitën, përveç Gerrardit.
“Kush është ky djalosh i vogël dhe i hollë?”, dëgjonte ai pëshpëritje nga tifozët e flaktë në Anfield.
Ai u ballafaqua me një sfidë të madhe në debutim, është ngarkuar që të ndalë David Ginolan, atë sezon Lojtarin e Vitit në Angli. Ai qysh në minutat e parë tregoi mprehtësi në gjykim, agresivitet, gjenialitet dhe grintë. Siç thoshte edhe trajneri i parë i tij Hughie McAuley, një prej trajnerëve të parë të Gerrardit në akademinë e klubit – ai ishte një lider i certifikuar, dikush që është jo vetëm merrte përgjegjësinë, por edhe e realizonte atë me përpikmëri.
Ai ishte pikë referuese jo vetëm për ata që ndiqnin Liverpoolin, por edhe për bashkojtarët e tij, nga Luis Suarez deri te Xabi Alonso, të cilët pranojnë se ai ka pasur impakt të madh në ta.
Ndikimi i Gerrardit nuk mund të vlerësohet si duhet në aspektin e trofeve, e as me statistika.
Siç thotë Kenny Dalglish me saktësi të madhe, ai dhe madhështia e tij është përtej titujve dhe kryetarja e familjes Hillsborough, Margaret Aspinall e cila me të drejt e përshkruante atë si “më shumë se sa futbollist për këtë qytet”.
https://www.youtube.com/watch?v=kKNfwfI8wHU
Për një kohë të gjatë, djaloshi fenomen i lindur në Huyton e mbajti Liverpoolin, klubin dhe më gjerë – mbi supet e tij.
Harrojeni shkëlqimin e tij në fushë për një moment dhe rikujtoni faktin se ai dha 96 mijë funte për HFSG në janar të vitit 2014 – ku edhe kushëriri i tij Jon Paul Gilhooley ishte më i riu nga 96 tifozët të cilët ndëruan jetë në tragjedinë e vitit 1989.
Përkrahja e Gerrardit shkon larg përtej aspektit financiar, me familjet e të vdekurve në tragjedi të cilët e konsiderojnë atë si burim për kurajo dhe motivim për jetë.
Spitali Alder Hey i fëmijëve ishte po ashtu përfitues i zemërgjerësisë së tij, me 500 mijë funte që ai i dhuroi në dhjetor të vitit 2013. Këto të holla ai i dhuroi me anë të fondacionit të tij, duke shfrytëzuar të hollat nga përfitimet e ndeshjes ndaj Olympiacosit.
Ai gjithmonë shkonte lart e përtej, ishte drita më shkëlqyese e Liverpoolit në kohërat më të erëta.
Edhe pse u largua në maj drejt LA Galaxyt, vëmendja e Gerrardit kurrë nuk u largua nga Liverpooli, duke përkrahur klubin nga Hollywoodi, duke shikuar secilën ndeshje, duke ofruar këshilla ndaj ish-bashklojtarëve të tij të cilët kishin nevojë për të dhe duke studiuar avansimin e tyre taktik.
Ai u kthye në Melwood (qendrën stërvitore të Liverpoolit) një vit më parë për të qëndruar në formë për sezonin e tij në MLS (kampionatin amerikan) dhe është vetëm çështje kohe kur ai do të kthehet në klub me kapacitet permanent, pasi tashmë ka mbajtur bisedime të avansuara për një rol prej trajneri në akademinë e klubit.
Fëmiu fenomen po pensionohet si ikonë. I pakapshëm në ditën e tij më të mirë, dhe i paluhatshëm si një prej më të mëdhenjve në historinë e Liverpoolit.
Ai nuk do të diktojë më ndeshjet nga mesfusha, por nuk do të kalojë shumë kohkë kur ai do t’i vendosë ndeshjet nga stoli i trajnerit.
Steven, futbolli gjithmonë do të ketë nevojë për ty.
Sepse ti, je vet futbolli!
/Telegrafi/