Specat e kultivuar në fshatin Sibovc dhe Sveqël të Podujevës tash e një vit po eksportohen në Gjermani e Suedi. E ata që nuk po arrijnë të eksportojnë produktet e tyre me sukses, po i shesin në tregjet e Kosovës, raporton televizioni publik
Skënder Hyseni nga fshati Sibovc i Podujevës, ka mbjellë dy hektarë me spec të llojit somborka. Ai këtë vit shprehet i kënaqur me rendiment dhe shitje të cilën e realizon në tregjet në vend. Kjo atë e ka shtyrë që vitin e ardhshëm ta dyfishojë sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë.
Ndryshe nga Hyseni, fermeri tjetër Bekim Vokrri nga fshati Sfeqël, ka vendosur që produktin e tij ta eksportojë. Ai ka përgatitur 16 tonë spec të cilët i ka dërguar në qendrën grumbulluese të pemëve dhe perimeve, në fshatin Sfeqël. Eksportimin e specave, në Gjermani dhe Suedi, fermeri Vokrri e ka filluar që nga viti i kaluar.
Ndërkohë që përkrahja e USAID-it për kultivuesit e kësaj ane, as në këtë vit nuk ka munguar .
Ndryshe, banorët e fshatit Sfeqël dhe Sibovc përveç që kultivojnë lloje të shumta të specit, ata kultivojnë edhe lakrën si dhe domatet e patatet.