Ministria e Jashtme e Spanjës, ka hedhur poshtë zërat se do të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.
Në një përgjigje për Telegrafin, MPJ e Spanjës ka thënë se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e deklaratës së Pavarësisë, i miratuar nga Prishtina në 2008, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.
Dhe për këtë sipas tyre Spanja për momentin nuk ka asnjë plan për të hapur një zyrë siç është raportuar në media gjatë ditës së hënë.
“Në këtë kuptim, ne e konsiderojmë rinisjen e dialogut si një lajm të mirë. Është e nevojshme të shfrytëzohet momenti për t’u përpjekur të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dy palët dhe e respektueshme për të Drejtën Ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje thuhet se Borell ka interes të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes mes dyja vendeve, dhe me punën e shkëlqyeshme të emisarit special Miroslav Lajçak, të cilin thonë se Spanja e mbështet plotësisht.
Në fund theksohet se Spanja është e gatshme të bashkpunojë në qëllimin për stabilitet politik në Ballkan.
“Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, sa më shumë që të mundemi, në këto përpjekje, pasi përparësia për Spanjën është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit”, thuhet në fund./Telegrafi.