Telegrafi

Spanja deri në fund të janarit pritet ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se nga kolegu i tij spanjoll, Pedro Sanchez i është thënë se Parlamenti i Spanjës deri në fund të janarit do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Zaev theksoi se Sanchez e ka njoftuar se në fillim të janarit pritet të formohet Qeveria e re e Spanjës dhe se Kabineti i tij në Parlament do ta dorëzojë propozimin për ratifikimin e Protokollit, dhe Parlamenti do ta ratifikojë deri në fund të janarit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk ka asgjë kontestuese. Bëhet fjalë për aspektin teknik të ratifikimit”, deklaroi Zaev në debatin ‘Rruga deri tek anëtarësimi në NATO: Nga vend i izoluar në vend të integruar’ që u mbajt në Fakultetin e Filozofisë në Shkup.

Ndryshe, Spanja është shteti i fundit që do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe pas ratifikimin në Maqedoni, vendi zyrtarisht bëhet anëtari i 30-të i NATO-s./Telegrafi/