Telegrafi

Spalletti nuk tregon nëse starton me Icardin apo Lautaron: Duhet të bëjmë mirë ndaj Juventusit

Luciano Spalletti (Foto: Getty Images/Guliver)

Interi do ta mirëpres Juventusin në derbin më të madh italian.

Skuadra zikaltër synon që me një fitore të vazhdoj qetësinë në pozitën e tretë.

Njëherit Inter mund të bëhet skuadra e parë që mposhtë kampionin e ri të Italisë për edicionin 2018-19, pasi Juventus javën e kaluar ka festuar titullin.

Trajneri Luciano Spalletti nuk ka zbuluar se cili sulmues do të jetë titullar, Mauro Icardi apo Lautaro Martinez.

“Nuk mund të thuhet se cili do të luaj nesër, të gjithë lojtarët janë në dispozicion. Lautaro ka treguar se është rritur shumë dhe është gati që të jetë pikë referimi”.

Trajneri italian u pyet edhe për një kalim të mundshëm të Mauro Icardit te Juventusi, por sipas tij këto gjëra nuk e shqetësojnë.

Tutje Spalletti ka thënë se ndaj Juventusit duhet bërë mirë pasi Zonja e Vjetër ka qenë gjithmonë para Interit në vitet e fundit.

“Këto dy skuadra përfaqësojnë dy pole të kundërta të pasionit për futbollin. Ka qenë gjithmonë një nga manifestet më të rëndësishme të kampionatit tonë. Është e rëndësishme që të bëjmë mirë, duke parë se ata kanë qenë gjithmonë para nesh në vitet e fundit”, përfundoi Spalletti. /Telegrafi/