Telegrafi

Spalletti hedh dritë mbi situatën e Icardit: Nuk meriton të luajë për shkak të sjelljes, negociatat me ndërmjetës për ta veshur fanellën e Interit, janë poshtëruese – diferencën e bën Messi, jo Icardi!

Mauro Icardi, Luciano Spalletti (Fotomontazh: Getty Images/Guliver)

Interi pësoi nga Lazio në Milano, ndërsa trajneri Luciano Spalletti është dashur të shpjegojë pas ndeshjes se çfarë shkoi keq. Ndërsa kryetemë vazhdon të jetë sulmuesi Mauro Icardi, i cili nuk u ftua as në këtë takim.

Sulmuesi argjentinas ishte kthyer në stërvitje gjatë javës që lamë pas, mirëpo nuk ishte thirrur nga strategu italian për shkak të, siç ishte thënë, zhvillimeve të reja me situatën e tij. Ndërsa në deklaratën për Sky Sport Italia pas ndeshjes, Spalletti ka treguar disa të dhëna lidhur me situatën e ish-kapitenit.

Mauro Icardi (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

“Unë e di se cila është puna ime. Siç qëndrojnë gjërat sot, për mënyrën si është sjellë, ai duhet të qëndrojë jashtë dhe të tjerët duhet të luajnë”.

“Mendoj se ka mundur të luajë 20-30 minuta, ose gjysmën e ndeshjes, por ky nuk është qëllimi. Ata që janë në zhveshtore duhet të luajnë. Duhet të kesh besueshmëri në grup. Unë kam pasur kredibilitet për 20 vite në karrierën time, unë kam besueshmëri me lojtarët e mi”.

“Ky ndërmjetësim (duke iu referuar avokatit të Icardit, Paolo Nicoletti, i cili ndërmjetëson ndërmjet klubit dhe lojtarit nëse do të luajë ose jo) është poshtërues për tifozët e Interit dhe për ata që e duan Interin. Nevoja për të ndërmjetësuar me dikë vetëm për ta veshur fanellën që ata duan, është poshtëruese”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Inter

“Të bisedoj me dikë vetëm për ta veshur fanellën e Interit. Çfarë, duhet t’u shkruaj 20 avokatëve dhe t’ua kërkoj që ta thërrasin dikë?”.

Mauro Icardi (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

“Njerëzit thonë se i kemi humbur ndeshjet pa Icardin. Interi nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve për disa vite me Icardin. Interi i ka humbur ndeshjet shumë më keq se kjo me Icardin. Lionel Messi e bën dallimin, jo Icardi, me gjithë respektin. Profesionalizmi dhe respektimi i vetvetes janë gjithçka. Disiplina është gjithçka”.

“I kam lënë lojtarët jashtë për veprime shumë më të vogla. Duhet të keni respekt dhe të silleni mirë në zhveshtore. Trajneri duhet të jetë kredibil dhe të pranohet si dikush që do ta bëjë punën e duhur.  Le ta gjejmë një tifoz të Interit dhe ta pyesim nëse e pëlqen një lojtar që ka nevojë për negociata që ta veshë fanellën e Interit”, ka thënë Spalletti. /Telegrafi/