Luciano Spalletti dhe Javier Zanetti, trajneri dhe zëvendëspresidenti i Interit, janë takuar nga afër me tifozë shqiptarë të zikaltërve, para derbit ndërmjet Nerazzurrëve dhe Juventusit.
Një grup i vogël tifozësh ishin të pranishëm në restorantin që është në pronësi të Spallettit, i cili rastisi në ato momente në biznesin e tij dhe nuk nguroi të bënte fotografi me tifozët shqiptarë duke bërë gjestin e shqiponjës, transmeton SuperSport.
Ndërkohë, dhjetëra tifozë shqiptarë, të cilët udhëtuan drejt Milanos për të ndjekur nga afër derbin Inter-Juve, disa orë përpara ndeshjes patën një takim me legjendën Javier Zanetti.
Kujtojmë që ndeshja ndërmjet Interit dhe Juventusit u mbyll baras (1-1) dhe Nerazzurrët po vazhdojnë garën për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
Nga ana tjetër, Juventusi tashmë është shpallur kampion i Italisë për të tetin vit rresht.