Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) një kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla.
Pas dënimit me 2 vite burg në dy shkallët e gjyqësorit, Adriatik Llalla vazhdon të jetë nën hetim për akuzën e “Fshehjes së pasurisë” nga ana e SPAK.
Sipas Euronews Albania, objekti i hetimit nuk bëhet me dije, por konfirmohet se kërkesa për pushimin e hetimit është bërë me argumentin se është gjykuar njëherë për të njëjtën vepër penale.
Llalla u arrestua në Romë të Italisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.
Ish-kryeprokurori është shpallur fajtor për mosdeklarimin dhe për fshehje të pasurisë për ndërtimin e një kati në një banese në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, si dhe për fshehje dhe mosdeklarim të vlerave monetare të shkollimit të vajzës së tij dhe lindjes së djalit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-kryeprokurorit i janë sekuestruar edhe 4 sipërfaqe trualli në periferi të Tiranës si dhe një apartament në Durrës.
Llalla është i pari ish-zyrtar i lartë i drejtësisë që u dënua me burg. Në vitin 2018 ai u përfshi në listën e personave “non grata” nga SHBA. /Telegrafi/