Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri (SPAK) ka dhënë këtë të martë pretencën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
SPAK kërkon që Beleri të dënohet me dy vite e gjashtë muaj burg i akuzuar për krim zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri.
SPAK kërkoi edhe dënimin me dy vite burg për Pandeli Kokaveshin, por gjithashtu kërkoi pezullim të këtij dënimi dhe lënien në shërbim prove për katër vite.
Seanca për argumentet përmbyllëse të palës mbrojtëse u caktua të zhvillohet më 28 shkurt, në orën 14:30.
SPAK e akuzon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje. Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe që prej asaj kohe qëndron në paraburgim, duke mos u lejuar që të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Seanca ndaj tij janë ndjekur përgjatë gjithë kësaj kohe nga ambasadorja greke dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. /Telegrafi/