Site icon Telegrafi

SpaceX dërgon sot një “kapsulë” përsëri në hapësirë, këtë herë me astronautë nga vende të ndryshme

Katër astronautë nga tri vende po përgatiten të largohen nga Toka këtë javë në bordin e një kapsule SpaceX Crew Dragon.

Dhe kjo do të shënonte fluturimin e tretë me ekuipazh për kompaninë e Elon Musk dhe të parin nga SpaceX që përdori një përforcues rakete dhe anije kozmike që kishte fluturuar më parë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, lansimi i së premtes i SpaceX do të përdorë të njëjtin përforcues raketash që mundësoi misionin Demo-2 2020, si dhe të njëjtën anije kozmike, të quajtur “Endeavour”.

SpaceX prej kohësh e ka bërë ripërdorimin një gur themeli të planit të saj të biznesit, duke shpresuar se rikuperimi dhe rinovimi i pajisjeve do të ulë koston e fluturimeve hapësinore.

Megjithëse kompania ka “ri-fluturuar” përforcues dhe anije kozmike dhjetëra herë në lëshime satelitore dhe ngarkesash gjatë disa viteve të fundit, kjo do të shënojë herën e parë që kompania do të ripërdorë pajisjet për një mision të ekuipazhit.

Astronautët e NASA-s, Shane Kimbrough dhe Megan McArthur do të bashkohen me astronautin francez Thomas Pesquet të Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe Akihiko Hoshide nga Japonia.

Ata do të kalojnë gjashtë muaj në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar – ISS, pasi kapsula e tyre Crew Dragon ankorohet të shtunën herët në mëngjes.

Udhëtimi është planifikuar të fillojë në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida të premten. Dhe, nëse stuhitë e afërta nuk ndërhyjnë, raketa do të ngrihet në 5:49 të mëngjesit.

Crew Dragon pritet të ankorohet me ISS rreth orës 5:10 të mëngjesit të shtunën.

Kimbrough, McArthur, Pesquet dhe Hoshide do të bashkohen me shtatë astronautë tashmë në ISS, katër prej të cilëve mbërritën me një kapsulë tjetër SpaceX Crew Dragon në nëntor.

Kjo do ta vendosë stafin e përgjithshëm të stacionit hapësinor në 11 – një nga ekuipazhet më të mëdha që ISS ka “pritur” ndonjëherë.

Por ky numër do të bjerë shpejt në shtatë kur katër astronautë të tjerë do të kthehen në shtëpi nga stacioni më 28 prill. /Telegrafi/

Exit mobile version