Site icon Telegrafi

Southgate: Maguire është në atë periudhë kur gjithçka është kundër tij

(Foto: Twitter/BBC Sport)

Gareth Southgate ka pranuar se Harry Maguire po kalon nëpër një periudhë të vështirë, pas përjashtimit në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Danimarkës, të cilën Tre Luanët e humbën me rezultat 0-1.

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit e mori një karton të verdhë që në minutën e pestë të takimit dhe një tjetër pas gjysmë orë duke u përjashtuar kështu nga loja.

Ndërsa menjëherë pas përjashtimit të tij u akordua penallti në favor të danezëve, të cilën e konvertoi në gol Christian Eriksen (35’).

(Foto: Twitter/Goal)

“Mendoj se kartoni i parë i verdhë erdhi nga një ndërhyrje që nuk duhej ta bënte dhe kështu e vë në presion. I dyti, ishte ndërhyrje dhe çasti e dërgon drejt e në lojtarin”, ka thënë trajneri i Anglisë për BT Sport.

Përjashtimi me përfaqësuesen vjen pas kritikave për paraqitjet me Djajtë e Kuq, si edhe pas problemeve në jetën personale që u shoqëruan me arrestim në Mykonos të Greqisë në muajin gusht.

“Për mua, është top lojtar. Është pjesë e madhe e asaj që bëjmë. Ai është duke kaluar nëpër një periudhë kur shumëçka hidhet në drejtim të tij”.

“Dhe është mjaft i madh për t’u përballur me gjithë ato që ndodhin, do ta tejkalojë, do të bëhet më i fortë. E ka gjithë mbështetjen tonë dhe e di se edhe klubi i tij do ta bëjë të njëjtën gjë”, ka shtuar Southgate. /Telegrafi/

Exit mobile version