Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, e ka bërë të qartë se nuk do të hezitojë ta përfshijë në formacion Raheem Sterlingun në ndeshjen e të dielës kundër Kosovës.
Anësori i Manchester Cityt u la jashtë Tre Luanëve për takimin e sotëm (e enjte) ndaj Malit të Zi, për shkak të zënkës me mbrojtësin e Liverpoolit, Joe Gomez, që u bart edhe në kampin stërvitor të anglezëve.
“Vazhdojmë përpara. Mënyra si është stërvitur ka qenë shembullore”, ka deklaruar Southgate në një konferencë për shtyp.
Anglisë i mjafton një pikë në takimin ndaj Malit të Zi në Wembley që ta sigurojë kualifikimin nga Grupi A, ndërsa trajneri është pyetur se a do të hezitojë ta përfshijë Sterlingun në formacionin startues në sfidën e të dielës në “Fadil Vokrri”.
“Asnjë (hezitim), kurrfarë (hezitimi). E morëm vendimin dhe nënvizuam gjithçka”, ka thënë Southgate, i cili është kritikuar pse i ka dhënë rëndësi mediatike incidentit të ndodhur në stërvitje. /Telegrafi/