Në kryeqytetin irlandez Dublin është hedhur shorti për kualifikimet e kampionatit evropian Euro 2020.
Kombëtarja e Anglisë do të jetë në Grupin A, së bashku me Çekinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Kosovën.
E për këtë grup ka folur edhe trajneri i Kombëtares angleze, Gareth Southgate.
Numri një i ‘Tre Luanëve’, tha se është mirë që kanë shmangur disa nga skuadrat e mëdha.
“Ne kemi shmangur disa skuadra shumë të mëdha, kështu që tani duhet të sigurohemi që paraqitjet tona të jenë në nivel”.
Southgate nuk përmendi emra, mirëpo tha se ndeshjet në vendet më pak të njohura janë të vështira pasi atmosfera është e zjarrtë.
“Kur luani në disa nga vendet më pak të njohura, ata janë të motivuar për të luajtur ndaj Anglisë dhe bëhet e vështirë. Atmosfera në këto vende mund të jetë e zjarrtë”, u shpreh Southgate.
Krejt në fund trajneri anglez tha se nuk ka asnjë justifikim dhe se ekipi i tij duhet të dalë i pari nga grupi.
“Nuk duhet të ketë justifikime, ne duhet të përgatitemi për secilën ndeshje për të bërë mirë dhe për të dalë të parët nga grupi”, u shpreh trajneri anglez. /Telegrafi/