Site icon Telegrafi

Southgate është i bindur se Kane do të thyejë rekordin e golave të Rooneyt me Anglinë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, beson se ylli i kombëtares, Harry Kane mund të shënojë shumë më tepër gola se Wayne Rooney përpara se të tërhiqet nga detyra ndërkombëtare.

Kane shënoi katër gola në fitoren 10-0 ndaj San Marinos në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës ‘Katar 2022’, ndërsa më herët shënoi edhe tre tjera ndaj Shqipërisë.

Ai tani ka 48 gola me fanellën e kombëtares së Anglisë, që është shifër e barabartë me Gary Linekar dhe vetëm pesë më pak sesa 53 golat e shënuara nga Rooney.

Kane ka 67 ndeshje me fanellën e Anglisë dhe Southgate mendon se nëse i afrohet 120 ndeshjeve të Rooneyt, ai do të thyejë rekordin e ish-yllit të Manchester United.

“Mendoj se vendosja e rekordit për më shumë gola me kombëtaren do të ishte padyshim një nga qëllimet e tij”, ka thënë fillimisht Southgate për gazetarët.

“Gjëja e jashtëzakonshme është se ne nuk i kemi dhënë atij mundësi të shumta me gjet rrjetën sikurse ndaj San Marinos”.

“Sigurisht që tre ndeshjet e tjera të kësaj shkalle në këtë grup nuk ia dhamë minutat. Ai e kuptoi, sigurisht. Ai ka ambicie të mëdha personale si dhe ato ekipore. Tregoi përsëri natyrën klinike dhe mentalitetin”.

“Nuk ka asnjë arsye që ai nuk mundet. Nuk është se ai do të thyejë rekordin, është kur dhe çfarë mund të bëjë kur të jetë përtej kësaj pike”, përfundoi trajneri i Tre Luanëve. /Telegrafi/

Exit mobile version