Gareth Southgate është deklaruar pas humbjes së finales së Euro 2020 përballë Italisë.
Anglia kaloi e para në epërsi qysh në minutën e dytë, mirëpo Azzurët i barazuan shifrat në 1-1 në pjesën e dytë, duke bërë që ndeshja ë shkonte në vazhdime dhe më pas në penallti.
Italianët shënuan tre herë, për dallim nga anglezët që realizuan vetëm dy, duke bërë që të fitonin trofeun për herë të dytë në histori.
Southgate është shprehur i dëshpëruar me këtë humbje, por që është krenar me arritjen e ekipit të tij.
“Ne i provuam ata në stërvitje, është vendimi im, penalltitë shënohen ose humben. Ne goditëm me gjuajtësi më të mirë në fushë. Gjuajtësit e penalltive në fushë në fund? Ne i bëmë këto ndryshime, sepse i kishim planifikuar tashmë. Djemtë mund të largohen sonte nga ‘Wembley’ me kokën lart”, ka thënë strategu i Anglisë.
“Është e vështirë, ne iu afruam titullit. Këto mundësi janë të rralla, por ekipi kombëtar italian ishte gjithashtu i jashtëzakonshëm. Ata e mbajtën topin më mirë se ne, ishin të mirë për të na bllokuar gjatë gjithë kohës”.
“Ne donim të bënim festën më të madhe ndonjëherë, nuk patëm sukses, por i dhamë vendit kujtime të bukura. Duhet të jemi krenarë”, ka shtuar më tej Southgate.
Anglia asnjëherë nuk ka arritur ta fitojë Kampionatin Evropian, por nuk ka qenë kurrë më afër se mbrëmë që të bëjë një gjë të tillë, mirëpo nuk ia doli. /Telegrafi/