Telegrafi

Sot protestohet për vrasjen e 11-vjeçarit në Fushë Kosovë

Dje (e enjte), një grup i aktivistëve të Fushë Kosovës mbajtën një aksion simbolik para stacionit policor të kësaj komune pas vrasjes së 11-vjeçarit.

E pas këtij aksioni për sot është paralajmëruar protestë. Ata protestojnë për siç thonë neglizhencën institucionale të policisë dhe gjyqësisë për vrasjen e 11-vjeçarit që ndodhi javën e kaluar.

Lexo po ashtu Policia arreston personin e dyshuar për vrasjen e 11 vjeçarit në Fushë Kosovë

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 1 muaji për të dyshuarin për vrasjen e 11-vjeçarit.

S.O është arrestuar disa ditë pasi K.Veseli u gjet i vrarë më 7 korrik nën shkallët e një ndërtese në Fushë Kosovë.

Njoftimi i plotë:

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po dështon të mbrojë qytetarët nga kriminelët, nga vetë institucionet dhe racizmi i tyre . Rastet e përdhunimeve të cilat po raportohen në polici nuk po adresohen dhe si pasojë e racizmit sistematik të rrënjosur në këto institucione qytetarët e Kosovës po vriten. Qytetarët e republikës së Kosovës është duke i vrarë vetë ky shtet racist.

Vrasja e fundit e 11 vjeçarit, të përdhunuar disa herë dhe i vrarë nga një kriminel i dyshuar 20 vjeçar është një nga rastet e tmerrshme që shpërfaqin shpërfilljen që institucionet e drejtësisë e kanë ndaj krimit e që po i bënë bashkëpunëtorë ata. Ky rast, i raportuar në janar e që përfundoi në vrasje pas neglizhimit të vazhdueshëm institucional po po e bënë çdo herë e më të pa sigurtë shoqërinë në të cilën jetojmë.
Rastet e këtilla të injorimit, diskriminimit dhe racizmit institucional nuk duhet lejuar të bëhen norma! Policia dhe prokuroria duhet të japin llogari për këtë krim! Andaj, ju ftojmë që të premten duke filluar nga ora 14:00 të ngrihemi të gjithë në protestë para policisë në Fushë Kosovë dhe të mos lejojmë që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të këtyre institucioneve që më së paku po na mbrojnë.
#PrejArkivesNeArkivol #EdheSa?

Të premten, 19 Korrik, në orën 14:00 mblidhemi tek lagja Meshari (te pazari) për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë. /Telegrafi/