Site icon Telegrafi

Sot në Shkup do të organizohet marsh i paqes për masakrën e Srebrenicës

Komuniteti kulturor boshnjak i RM-së, i cili njëherësh paraqet edhe aleancë të organizatave joqeveritare boshnjake në vend, sot do të mbajë Marsh të paqes për Srebrenicën me qëllim të shënimit të 22-vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç informojnë organizatorët, marshi do të fillojë prej Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Gjatë marshit do të lexohet mesazhi i sivjetmë i shoqatës me rastin e shënimit të gjenocidit, njofton AIM.

Gjenocidi i Srebrenicës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet.

Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, duke përfshirë njësinë paraushtarake “Škorpioni” (sq. Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës mori vendimin që masakra e Srebrenicës të njihet si gjenocid. /Telegrafi/

Exit mobile version