Sot në Bruksel pritet të takohen dy kryenegociatorët Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Në takim do të t’i presë emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak., ndërkaq fokusi do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së 27 shkurtit e arritur mes palëve për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe hapat drejt de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Emisari Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Fokusimi te zbatimi i plotë të Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano.
Ndryshe, nga Qeveria e Kosovës gjatë ditës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Bislimit në këtë takim.
“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi do të jetë në Bruksel”, kanë thënë për Telegrafin këshilltari i tij politik, Klisman Kadiu.
Takimi ndërmjet dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”. /Telegrafi/
Kosovo/Serbia: Tomorrow, EUSR @MiroslavLajcak will host Chief negotiators of both sides in the context of the ??facilitated Dialogue in Brussels. Focus ? the full implementation of the 27 Feb Agreement & steps towards de-escalation of the situation in the north of Kosovo.
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) July 18, 2023