Site icon Telegrafi

Sot liderët në takim, do të diskutohet për datën e zgjedhjeve kuvendare

Në Kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski sot do të mbahet takim i liderëve për terminin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u caktuan për më 12 prill, por u shtynë me dekret të Qeverisë për shkak shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme dhe përhapjes së Covid-19.

Liderët gjithashtu pritet që të flasin edhe për vazhdimin eventual të gjendjes së jashtëzakonshme, për gjendjen me coronavirusin në vend dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, dhe si të realizohet fushata dhe votimi, ndërsa të mbrohen qytetarët.

Në takimin e liderëve janë ftuar kryetarët e partive politike parlamentare nga pushteti dhe opozita, të cilët në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mandate të deputetit me lista të pavarura.

Në takim do të marrin pjesë kryetarët e: LSDM-së – Zoran Zaev, BDI-së – Ali Ahmeti, OBRM-PDUKM-së – Hristijan Mickoski, Aleancës për Shqiptarët – Ziadin Sela, Alternativës – Afrim Gashi, Lëvizjes BESA – Bilall Kasami dhe PDSH-së – Menduh Thaçi. Janë ftuar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetari i Qeverisë, Oliver Spasovski.

Nga takimi i sotëm te Pendarovski, pritet që të dalë zgjidhje për datën për zgjedhjet parlamentare, për të cilat partitë në pushtet dhe opozita kanë shprehur mendime të ndryshme ditëve të fundit. Për më tepër, edhe anëtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) kanë shprehur qëndrime të ndryshme.

Sidoqoftë, numri i pacientëve dhe përhapja e mundshme e mëtutjeshme e koronavirusit në vend, përfshirë edhe respektimin e masave nga qytetarët, do të “vendosin” për zgjedhjet parlamentare edhe kësaj here, mbetet për tu parë në ditët në vijim./Telegrafi/

Exit mobile version