Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira të cilat gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte parashihen të sjellin kushte për reshje të izoluara shiu.
Në fushat barike priten lëvizje të dukshme, por që vlerat e normales do të ruhen. Temperaturat minimale do të ulën dukshëm krahasuar me javën e fundit, duke bërë që minimalet të bien deri në 7 gradë Celsius, e gjatë fundjavës deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 16-30 gradë Celsius.
Sot do të mbajë mot shumë i ngrohtë, kryesisht i kthjellët dhe me diell, temperaturat do të sillen nga 10-29 gradë celsius.
Dita e martë parashihet të shënoj maksimalet e ditës deri 30 gradë Celsius, ndërsa dita e enjte, parashihet të jetë më e freskëta me vetëm 16 gradë Celsius.
Të mërkurën do të ketë kushte për zhvillim të vranësirave konvektive, të përcjellura me shkarkesa elektrike dhe reshje të izoluara shiu, duke u përsëritur edhe ditën e enjte.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-9m/s. /Telegrafi/