Telegrafi

Sot diskutohet Strategjia për Sigurinë 2022-2027

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes sot mban mbledhje, ndërsa shqyrton Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për FSK-në dhe Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027.

Mbledhja e Komisionit mbahet në orën 11:00.

“Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për FSK-në dhe Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, javë më parë kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu pas takimin me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti në një konferencë për media ka bërë të ditur se gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend në përgjithësi është stabile, megjithëse sipas saj, situatë më e brishtë paraqitet në katër komunat në veri për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia.

Musliu në një deklaratë për media tha se Serbia përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokalë për qëllim tensionimit të situatës në Kosovë si dhe ka angazhuar mekanizmat e saj ilegalë për të monitoruar aktivitetet e strukturave të sigurisë në Kosovë. /Telegrafi/