Telegrafi

Sot, Christian Panucci kërkon fitoren e parë me Shqipërinë

Kombëtarja shqiptare zbret sot në orën 18:00 në fushën e “Elbasan Arena” për të kërkuar fitoren ndaj Lihtenshtejnit, ndeshje kjo e vlefshme për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018”.

Tekniku i ri, Christian Panucci do të debutojë sot për herë të parë nën drejtimin e kuqezinjve. I pyetur për formacionin dje në konferencë për shtyp, trajneri italian nuk ka zbuluar gjë por ka thënë se do ta vendosë atë sot para ndeshjes.

Për sa i përket emrave që mund të zbresin në fushë, ende nuk ka konfirmime 100%, megjithatë ka gjasa që 11-ja titullarë të përbëhet nga këta elementë.

Berisha në kuadrat, Hysaj nga e djathta, Gjimshiti e Mavraj në qendër dhe Memolla nga e majta. Kukeli do të vendoset përpara mbrojtjes, me Memushajn e Bashën në qendër, nga e majta ka një balotazh mes Hykës e Grezdës, po ashtu edhe në krahun tjetër në luftë për një vend janë Ahmedi e Roshi.

Llullaku pritet ta nisë nga minuta e parë nëse Sadiku nuk ia del. /oranews/