Site icon Telegrafi

Sot afati i fundit për lirimin e ndërtesës së Komunës në Mitrovicën e Veriut

Për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë, është aktivizuar inspektorati komunal.

Inspektorati kërkon lirimin e saj dhe afati është deri më 25 gusht.

Në përgjigje me shkrim për RTK-në, Komuna e Mitrovicës së Veriut sqaron se afati për lirim të objektit është tri ditë.

Komunës nuk i është ofruar dokumentacion mbi bazën e të cilit është shfrytëzuar ky objekt.

“Afati prej 3 ditësh përfundon ditën e premte, data 25.08.2023. Vendimi i kryetarit do të zbatohet nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore”.

Më pas, komuna sqaron se do të ketë intervenime për rregullimin e objektit.

Punëtorët e strukturave paralele të Serbisë kanë vazhduar të punojnë edhe të enjten në këtë objekt.

Nga Lista Serbe, përmes një deklarate, kanë bërë të ditur se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen nga objekti brenda tri ditësh.

“Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

Exit mobile version