Site icon Telegrafi

Sot 22 vite pa ikonën e rok muzikës, Haki Misini – Kurti kujton legjendat e grupit MAK

(Foto: Screenshot/YouTube)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim lidhur me 22 vjetorin e vdekjes së dy anëtarëve të grupit legjendar “MAK”, Haki Misini dhe Mehmet Tupella.

Vokalisti dhe bateristi besohet të jenë vrarë në qytetin e Mitrovicës vetëm disa orë para nënshkrimit të marrëveshjes për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë.

Gjatë pesë viteve të ekzistencës në vitet e shtatëdhjeta, grupi “MAK” ka lënë pas vetes hite të pavdekshme, siç është “Moj e mira te pojata”.

Më poshtë postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Sot 22 vite pa ikonën e rok muzikës Haki Misini

Dy anëtarë të grupit MAK, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella, janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë.

Trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur. Trishtimin që përjetoi familja, e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet ndër grupet me krijimtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.

Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë këngë të tjera.

Exit mobile version