Telegrafi

Sot 18 vite më parë, Ronaldinho shënoi një nga golat më të famshëm të të gjitha kohërave

Në këtë ditë, pikërisht 18 vite më parë, u luajt një nga ndeshjet më legjendare në historinë e Ligës së Kampionëve, nga ato që do të mbahen mend përgjithmonë dhe detajet e së cilës do të rrëfehen me vite.

Në raundin e 16-të më të mirave, Chelsea dhe Barcelona zhvilluan një ndeshje të kthimit në Stamford Bridge.

Barça fitoi ndeshjen e parë në “Camp Nou” me rezultat 2-1 dhe në kthim, skuadra e Jose Mourinhos kërkonte një kthesë kundër skuadrës së drejtuar nga ylli legjendar Ronaldinho.

Gjyqtar ishte i famshmi Piereluigi Collina, ndërsa për Chelsean luanin Eidur Gudjohnsen, Matija Kezman, Joe Cole, Damien Duff, Frank Lampard, Claude Makelele, William Gallas, Ricardo Carvalho, Paulo Ferreira, John Terry dhe Petr Cech.

Për Barçën, Victor Valdes ishte në portë, Belletti, Van Bronckhorst, Carlos Puyol dhe Oleguer në mbrojtje. Mesfushën e mbajtën Xavi, Iniesta, Gerard dhe Deco, ndërsa në sulm ishin Ronaldinho dhe Samuel Eto’o.

Chelsea hyri me furtunë në ndeshje dhe pas 20 minutash me golat e Gudjohnsen, Lampard dhe Duff kaloi në epërsi prej 3-0.

Ronaldinho fillimisht shkurtoi rezultatin në 3-1 nga penalltia në minutën e 27-të dhe 11 minuta më vonë realizoi lëvizjen e një magjistari futbolli.

Ai mori një top rreth 16, 17 metra larg portës së Chelseat, u ndal në vend, fillimisht ‘mashtroi’ Carvalhon dhe më pas portierin Cech, dhe me një goditje shënoi për 3-2.  Ishte një gol i paharrueshëm.

Në atë moment, Barça kishte rezultatin për të kaluar tutje, por John Terry e çoi Chelsea tutje me golin në minutën e 76-të. /Telegrafi/