Telegrafi

Sot 15 vite më parë Messi shënoi golin e parë me Barcelonën, duartrokitjet e tifozëve dhe festa legjendare me Ronaldinhon

Kanë kaluar 15 vite nga ajo ndeshje magjike, ku Lionel Messi shënoi golin e parë me ekipin e parë të Barcelonës.

Ishte 1 maji i vitit 2005, kur Leo Messi shënoi golin e parë zyrtar me fanellën e katalunasve.

Ishte ndeshja ndaj Albacetes në shtëpi, teksa Barcelona ishte duke triumfuar 1-0 falë golit nga Samuel Eto’o.

Në minutën e 86-të, trajneri Frank Raijkard e largoi kamerunasin nga loja për ta inkuadruar Lionel Messin i cili menjëherë tregoi se është nga një tjetër planet.

Messi shënoi gol me prekjen e parë të topit pas një asistimit nga Ronaldinho, por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Por në minutën e 91-të, argjentinasi pranoi përsëri një top nga magjiku brazilian Ronaldinho dhe kësaj radhe shënoi për mos t’iu anuluar goli.

Goli i shënuar nga Messi ngriti të gjithë tifozët e pranishëm në Camp Nou në këmbë për ta përshëndetur talentin e ri që realizoi golin e parë me fanellën e Barçës.

Tifozët e Barcelonës nuk e harrojnë edhe festën legjendare me Ronaldinhon, i cili e ngriti në shpinë dhe kërkoi duartrokitje më masive për Messin.

Por pak kush e mendonte se ai Messi do të bëhej futbollisti më i madh në histori të Barcelonës, por edhe në histori të futbollit sipas një shumice të futbolldashësve.

Sigurisht që Messi nuk e harron kurrë këtë gol dhe këtë ditë, prandaj edhe për tifozët e Barcelonës 1 maji është festë, festë për ta kujtuar golin e parë në Camp Nou të një futbollisti që nuk ka lënë gjë pa fituar në nivel klubesh dhe nuk ka lënë rekord pa thyer. /Telegrafi/