Site icon Telegrafi

Soros në lojë për ta penguar BREXIT-in

Gazeta britanike ‘The Telegraph’, sot shkruan se miliarderi George Soros, të cilit nuk harron t’i përmend nofkën ‘njeriu që theu Bankën e Anglisë’, po interesohet në organizimin e një referendumi të dytë për kthimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.

Sipas gazetës, përcjell Telegrafi, Soros është një nga tri figurat kryesore të grupit ‘Më e mira për Britaninë’, i cili drejtohet Lord Malloch – Brown dhe Sir Martin Sorrell që mbështet fushatën ‘Qëndro’. Ky grup po planifikon që këtë muaj të nisë një fushatë kombëtare me synim mbërritjen drejt një referendumi të dytë për ta mbajtur Britaninë në BE dhe në këtë kuadër, po synohet angazhimi i konservatorëve britanikë që sipas gazetës do të minonte përpjekjet dhe pushtetin e Kryeministres Theresa May. Po kështu pjesë e axhendës është bindja e parlamentarëve britanikë për të votuar kundër marrëveshjes përfundimtare të BREXIT, një akt që do të çonte në krizë politike me rrugëzgjidhje eventuale, një referendum ose zgjedhje të parakohshme.

Gazeta referon një dokument që ka dalë nga takimi i grupit në fjalë që mesa duket po investon në ruajtjen e një ekuilibri të humbur në Evropë.

“Nuk është vonë për ta ndalur BREXIT”, citon gazeta dokumentin në fjalë.

Gazeta rendit të dhëna që flasin për kontaktet e shtuara të Soros me njerëz të rëndësishëm nga kampi konservator në Britani pa harruar të ktaegorizojë miliarderin si njeri që ‘ndërhynë në çështjet e brendshme të shteteve’.

“Ne duhet të fitojmë për të risiguruar Evropën që rikthimi ynë do të jetë permanent”, citohet më tej dokumenti në fjalë.

Aty flitet për ‘taktika guerrile të marketingut’ për të tërhequr vëmendjen duke përfshirë koncerte dhe marshime për të arritur që në qershor – korrikun e vitit 2018, presioni ndaj politikës të jetë domethënës dhe të kanalizojë zgjidhje për një situatë me të cilën duket se disa njerëz të fuqishëm nuk po pajtohen dot. /Telegrafi/

Exit mobile version